Si të stërvitemi fuqishëm pa u dëmtuar.

Të stërvitesh është mirë.Të stërvitesh fuqishëm është më mirë. Kjo është një gjë që ndikon në mënyre direkte në shëndetin e njeriut. Ndonjëherë e lëmë stërvitjen pas dore duke u marrë me punë, ose me familjen po kjo është mëse normale. Problemi është kur lëmë stërvitjen për shkak të ndonjë dëmtimi.

Kur themi dëmtim, nuk i referohemi dhimbjes së muskujve apo kockave pas stërvitjes. I referohemi dëmtimit të ligamenteve, tendinave ose muskujve, dëmtime të cilat shkaktojnë dhimbje akute dhe kronike, që kanë nevojë për pushim të gjatë për tu shëruar. Me këshillat e mëposhtme do keni mundësi të stërviteni më shpesh dhe të keni më pak mundësi dëmtimi.

 

1.Mos bëni strecing përpara ushtrimeve.

Të bësh strecing është gjë e mirë, por jo përpara ushtrimeve fizike. Studimet e bëra kanë treguar se të bësh strecing përpara stervitjes ndikon negativisht në fuqitë tuaja. Një këshillë e mirë është bërja e strecing-ut dinamik, një seri lëvizjesh për të tendosur muskujt gjatë kohës që bëni nxemjen. Duke e përgatitur kështu trupin për ushtrimet e rradhës. Në këtë mënyre do të rrisni fuqinë dhe fleksibilitetin e muskujve përpara ushtrimeve gjithmonë pa i dëmtuar ato.

2.Bëni nxemje specifike.

Në varësi të ushtrimeve që keni planifikuar të bëni, pas nxemjes të përgjithshme bëni nxemjen për muskujt specifik me të cilët do punoni. Bëjeni këtë gjë duke filluar sete ushtrimesh me pasha të lehta, kështu do të rrisni qarkullimin e gjakut në muskujt e caktuar gjë që do i bëj ushtrimet e mëtejshme më efektive.

3.Bëni strecing.

Sic e thamë më sipër strecing është i nevojshëm por koha kur e bëjmë është e rëndësishme. Pas ushtrimeve dhe nxemjes së duhur është koha perfekte të bëni strecing për muskujt të cilët keni nxehur. Muskujt e nxehur janë më elastik se ato të ftohtë, në këtë mënyrë strecing-u do jetë më efikas dhe me më pak mundësi dëmtimi.

Cdo pozicion strecing-u duhet ta mbani për 30 sekonda deri në 90, kjo do të përmirsojë fleksibilitetin tuaj. Merrni frymë thellë dhe me ngadalë. Është vërtetuar se strecing-u i bërë në momentin e duhur ul dhimbjet e muskujve që do të ndjeni të nesërmen.

4.Shkundini muskujt.

Atletët profesionistë thonë se masazhet e herëpashershme janë celsi i suksesit. Masazhi është një proces restorative i cili ndihmon qarkullimin e gjakut dhe i mban muskujt, tendinat dhe ligamentet të shëndetshëm dhe të zhdërvjellët.

5.Pushoni.

Ju ka ndodhur që pasi keni bërë stërvitje të jeni gjendur me dhimbje shpatulle ose mesi? Një mënyrë e mirë për të evituar këto dhimbje do ishte pushimi. Kur e kuptoni se jeni duke u sforcuar nuk është keq të pushoni.

Në mes të cdo seti ushtrimesh është e rëndësishme ti leni muskujt të pushojnë. Përvec kësaj gjumi është një pjesë e rëndësishme e pushimit. Pas një dite të lodhshme dhe një stërvitje të fortë gjumi i mirë 7 deri në 9 orë është pushimi më efikas që i jep kohën muskujve dhe trurit të marrin veten.

Duke ndjekur këto këshilla do keni mundësi të stërviteni më shumë dhe të keni sa më pak dëmtime.